Skip to content

Përplasja në Vlorë/ Rama reagon pas konfliktit mes dy biznesmenëve

PËRPLASJE MES GJYQËSORIT DHE QEVERISË/ Pagat e magjistratëve ndezin konfliktin institucional

Moskalimi i pagave të rritura për muajin gusht ka shkaktuar përplasje mes pushtetit gjyqësor dhe ekzekutivit, ndërsa situata po shkon drejt përshkallëzimit institucional.

Shqetësimi për moskalimin e pagave të magjistratëve u ngrit më 3 shtator nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Sipas vendimeve të miratuara nga KLGJ më 26 gusht dhe KLP më 28 gusht, paga referuese bazë e re parashikohet të zbatohet nga 1 gushti 2026.

Pavarësisht përllogaritjeve dhe urdhër-pagesave të nxjerra, pagesat nuk janë ekzekutuar për një pjesë të konsiderueshme të sistemit të drejtësisë.

Gazetari Arsen Rusta deklaroi për MCN se situata është përshkallëzuar dhe se afati i vendosur për zgjidhjen e ngërçit financiar përfundon sot në orën 16:00.

Sipas tij, disa prokurori, mes tyre ato të Fierit dhe Elbasanit, u janë drejtuar zyrtarisht strukturave të Thesarit, duke paralajmëruar ndjekje ligjore nëse pagat nuk ekzekutohen brenda afatit.

Rusta tha se vonesa e pagesave mund të konsiderohet nga organet përkatëse si element i veprës penale të shpërdorimit të detyrës, ndërsa përgjegjësia, sipas tij, mund të kërkohet ndaj zyrtarëve përgjegjës.

Ai pretendoi gjithashtu se bankat e nivelit të dytë kanë marrë udhëzime verbale për të mos proceduar pagesat, ndërsa shtoi se, sipas verifikimeve të tij, në prokuroritë e vendit ka fonde të mjaftueshme për pagat e muajve gusht dhe shtator.

Nëse ngërçi financiar nuk zgjidhet, përplasja mes institucioneve mund të marrë një tjetër dimension, me mundësinë e nisjes së procedurave ligjore ndaj personave që do të konsiderohen përgjegjës për moszbatimin e urdhër-pagesave.

Published inNews Shqip