Skip to content

“Portokallia” përfshihet në protestën qytetare? Florjan Binaj reagon për “policin e vogël”: “Keqardhje…”

Portokallia ndez debat në rrjet, Irgen Çela sqaron parodinë e protestës

Nisja e sezonit të ri të “Portokallisë” ka shkaktuar reagime të shumta në rrjet, pas një prej skeçeve të transmetuara mbrëmjen e kaluar, ku u paraqit një situatë me protestues, pankarta dhe batuta.

Pjesa humoristike është interpretuar nga shumë ndjekës si një ironizim i protestës qytetare që po zhvillohet prej më shumë se katër muajsh në Tiranë. Reagimet nuk kanë munguar as ndaj aktorëve të përfshirë në skeç, duke nxitur një debat të gjerë në rrjetet sociale.

Përballë kritikave ka reaguar aktori Irgen Çela, i cili përmes një video-mesazhi ka sqaruar se qëllimi i skeçit nuk ishte të tallej me qytetarët që protestojnë apo me kërkesat e tyre.

Sipas Çelës, targeti i humorit ishin personat që përdorin protestat për përfitime personale apo për të tërhequr vëmendje në rrjetet sociale.

“Pjesa e djeshme në ‘Portokalli’ ishte për ata njerëz që dalin për të rritur numrin e followers-ave në Instagram, jo për ata që kërkojnë shërbime më të mira!”, u shpreh Çela.

Megjithatë, sqarimi i tij nuk ka mjaftuar për të ndalur reagimet. Krahas kritikave të shumta në rrjet, vëmendje të veçantë ka marrë edhe reagimi i aktorit Florjan Binaj, dikur partner i Çelës në skenë te personazhet e njohura të “dy policëve”.

Binaj, i cili është shprehur publikisht në mbështetje të protestës qytetare, ka reaguar me keqardhje ndaj skeçit të transmetuar në “Portokalli”.

“Do duhej të ishte ashtu siç the, vllai im, por ishte tërësisht e kundërta. Ndjeva shumë keqardhje”, shkruan Binaj.

Reagimi i dy aktorëve ka rikthyer në qendër të vëmendjes diskutimin mbi kufirin mes humorit, satirës dhe mënyrës se si trajtohen në ekran kauzat dhe protestat qytetare.

Published inNews Shqip