Tuneli i Krrabës me një tub në funksion për 20 ditë
Tuneli i Krrabës do të funksionojë me vetëm një tub, me qarkullim të mjeteve në të dyja drejtimet, duke nisur nga e mërkura, 7 tetor. Kufizimi do të jetë në fuqi për një periudhë maksimale prej 20 ditësh.
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka njoftuar se masa është marrë për shkak të punimeve që do të kryhen për pastrimin e mureve dhe pajisjeve të tunelit.
Ndërhyrjet do të zhvillohen në tubin e drejtimit Elbasan–Tiranë, ndërsa tubi Tiranë–Elbasan do të shërbejë për qarkullimin e automjeteve në të dyja drejtimet.
Gjatë orarit 06:00–21:00, qarkullimi do të vijojë sipas regjimit të përcaktuar, ndërsa për garantimin e sigurisë dhe menaxhimin e trafikut do të ketë prezencë të Policisë Rrugore në tunel nga ora 21:00 deri në 06:00 të mëngjesit pasardhës.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të automjeteve të tregojnë kujdes dhe të respektojnë sinjalistikën gjatë gjithë periudhës së punimeve.
