Skip to content

Prokurorja e Hagës reagon për dënimet e ish-krerëve të UÇK-së: “81 vite burg nuk mjaftojnë”

Prokuroria e Specializuar në Hagë ka bërë të ditur se do ta shqyrtojë me kujdes aktgjykimin ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së dhe nuk e përjashton vazhdimin e betejës gjyqësore në Apel.

Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi janë dënuar me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet. Në total, dënimet e shqiptuara ndaj tyre arrijnë në 81 vjet burgim.

Megjithatë, Prokurorja e Specializuar, Kimberly West, ka paralajmëruar se Zyra e Prokurorisë së Specializuar (ZPS) do ta analizojë në detaje vendimin, veçanërisht gjashtë pikat e aktakuzës për krime kundër njerëzimit, për të cilat trupi gjykues nuk dha dënime.

West e cilësoi aktgjykimin si një vendim të rëndësishëm për sundimin e ligjit dhe për drejtësinë ndaj viktimave.

“Vendimi i sotëm, i bazuar vetëm në fakte dhe ligj, është i rëndësishëm për vënien para përgjegjësisë dhe sundimin e ligjit në Kosovë”, deklaroi ajo.

Sipas saj, trupi gjykues ka konstatuar përgjegjësi penale individuale ndaj katër të akuzuarve për krimet e arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme.

Prokurorja theksoi se vendimi tregon se askush, pavarësisht pozitës apo autoritetit politik, nuk është mbi ligjin dhe nuk gëzon imunitet nga përgjegjësia për krime të rënda ndërkombëtare.

West sqaroi gjithashtu se çështja e ndjekur nga ZPS-ja lidhet me përgjegjësinë individuale të personave të akuzuar dhe jo me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës apo luftën për pavarësinë e Kosovës.

“ZPS-ja bën përgjegjës individë për veprimet e tyre, në përputhje me mandatin e saj”, tha ajo, duke shtuar se disa individë, sipas Prokurorisë, i shfrytëzuan rrethanat e luftës për kryerjen e krimeve të rënda.

Gjatë procesit gjyqësor, ZPS-ja paraqiti 125 dëshmitarë dhe rreth 3 mijë prova materiale në gjuhë të ndryshme.

Në aktgjykim, trupi gjykues konstatoi se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi mbanin përgjegjësi për arrestim dhe ndalim të paligjshëm ose arbitrar ndaj të paktën 385 personave, trajtim mizor ndaj të paktën 49 personave, torturë ndaj 303 personave dhe vrasje të paligjshme ndaj të paktën 96 personave.

Sipas aktgjykimit, këto krime janë kryer ndaj civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime, gjatë periudhës nga prilli i vitit 1998 deri më 20 qershor 1999, në disa komuna të Kosovës dhe në dy rrethe të Shqipërisë së veriut.

Prokurorja West bëri të ditur se ZPS-ja do ta shqyrtojë të gjithë aktgjykimin në ditët në vijim, përfshirë edhe gjashtë pikat e aktakuzës për krime kundër njerëzimit, për të cilat nuk pati dënime.

ZPS-ja ka deklaruar se mbetet e angazhuar për llogaridhënien dhe mbështetjen e të drejtave të viktimave, ndërsa procesi gjyqësor pritet të vijojë në fazat e ardhshme.

Published inNews Shqip