Skip to content

Protesta 35-ditore merr kthesë: Rama jep lajmin e madh

Rama prezanton paketën sociale të re mes protestave që vijojnë prej 35 ditësh

Teksa protesta para godinës së Kryeministrisë ka hyrë në ditën e saj të 35-të, kryeministri Edi Rama është fokusuar në promovimin e paketës së re sociale të qeverisë, duke e paraqitur atë si rezultat të rritjes ekonomike, pa iu referuar drejtpërdrejt kërkesave të protestuesve.

Në podkastin “Flasim”, Rama deklaroi se Akti Normativ i buxhetit 2026 parashikon një sërë masash sociale, përfshirë bonus për pensionistët, fonde shtesë për medikamentet e pacientëve me sëmundje onkologjike, rritje pagash për mjekët e urgjencës, si dhe dyfishim të mbështetjes për personat me aftësi të kufizuar dhe fëmijët me nevoja të veçanta.

Këto deklarata vijnë në një kohë kur përballë Kryeministrisë vijon prej më shumë se një muaji një protestë e përditshme, ku qytetarët kërkojnë dialog dhe adresim të shqetësimeve të tyre.

Në vijim të deklaratës së tij, Rama tha se masat sociale janë të mundësuara nga rritja e të ardhurave buxhetore, përfshirë edhe të ardhurat nga sektori i naftës, të cilat sipas tij janë orientuar drejt pensionistëve dhe shtresave në nevojë.

Ai theksoi gjithashtu se janë ndarë fonde shtesë për trajtimin e pacientëve me kancer, si dhe është rritur mbështetja për mjekët e urgjencës, të cilët i cilësoi si “heronj të vërtetë”.

Rama përmendi edhe rritjen e mbështetjes për personat me aftësi të kufizuar dhe fëmijët me nevoja të veçanta, duke kujtuar se disa nga këto masa janë vendosur pas angazhimeve të mëparshme të qeverisë.

Në fund të deklaratës së tij, kryeministri tha se protestat po ndiqen me vëmendje dhe i ndau pjesëmarrësit në dy kategori: qytetarë me shqetësime reale dhe individë që, sipas tij, nxisin tensione dhe dhunë gjatë tubimeve.

Published inNews Shqip

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *