Ambasada Amerikane reagon për protestat në Tiranë: Angazhimi qytetar duhet të jetë paqësor
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka reaguar lidhur me protestat që po zhvillohen prej disa ditësh në Tiranë, duke theksuar rëndësinë e respektimit të ligjit dhe të ruajtjes së karakterit paqësor të tubimeve qytetare.
Në një prononcim për “Tv Klan”, përfaqësia diplomatike amerikane u ka bërë thirrje qytetarëve që marrin pjesë në protesta të veprojnë në mënyrë të ligjshme dhe paqësore, duke shmangur aktet e dhunës dhe trazirat.
“Nxisim qytetarët që marrin pjesë në protestë të veprojnë në mënyrë të ligjshme dhe paqësore. Trazirat e dhunshme nuk kanë vend në angazhimin qytetar”, thuhet në reagimin e Ambasadës Amerikane.
Protestat në kryeqytet vijojnë prej katër ditësh, ndërsa gjatë marshimeve janë regjistruar përplasje fizike mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit. Pjesëmarrësit kanë kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama, ndërsa situata është shoqëruar me tensione dhe incidente në rrugët e Tiranës.
