Ambasada Amerikane paralajmëron për protestën në Tiranë: Kujdes nga përshkallëzimi i dhunës
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka reaguar lidhur me protestën e zhvilluar në Rrugën e Durrësit, pranë Sheshit Skënderbej, duke paralajmëruar qytetarët për rrezikun e përshkallëzimit të situatës pas hedhjes së gurëve.
Në njoftimin e saj, ambasada thekson se protestat mund të përhapen edhe në rrugët përreth dhe pranë institucioneve qeveritare. Kjo situatë mund të sjellë shtim të pranisë së policisë, bllokime të rrugëve dhe devijime të trafikut.
Për këtë arsye, qytetarëve u kërkohet të tregojnë kujdes të shtuar për sigurinë personale dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve vendore.
Këshillat e Ambasadës Amerikane për qytetarët:
- Shmangni pjesëmarrjen dhe qëndrimin pranë demonstratave.
- Tregoni vëmendje ndaj zhvillimeve përreth dhe kufizoni përdorimin e telefonit apo kufjeve në ambiente publike.
- Ndiqni mediat lokale për t’u informuar mbi situatën.
- Mbani një plan emergjence dhe mendoni paraprakisht për rrugët e largimit në rast rreziku.
- Shmangni ekspozimin e panevojshëm dhe përpiquni të mos tërhiqni vëmendjen.
Paralajmërimi vjen në një moment tensionesh në kryeqytet, ndërsa qytetarëve u rekomandohet të qëndrojnë të informuar dhe të shmangin zonat ku mund të ketë përplasje.
