Skip to content

Shiroka-Pula viziton familjet e ish-krerëve të UÇK-së: “Nuk jeni vetëm në këtë rrugëtim”

Presidentja Justina Shiroka-Pula viziton familjet e Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, ky është mesazhi i saj

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka zhvilluar sot vizita te familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.

Sipas komunikatës së Presidencës, gjatë takimeve presidentja shprehu solidaritetin e saj me familjet, duke theksuar se kjo periudhë përbën një sfidë të vështirë si për to, ashtu edhe për Republikën e Kosovës.

Shiroka-Pula ritheksoi se e drejta e apelit është pjesë e procesit gjyqësor dhe se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të ofrojnë mbështetje për ish-krerët e UÇK-së, në përputhje me kompetencat dhe mundësitë institucionale.

Gjatë deklarimeve të saj, presidentja foli edhe për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilën e cilësoi si një luftë për liri përballë shtypjes, dhunës dhe krimeve të regjimit serb ndaj popullit të Kosovës.

Ajo theksoi rëndësinë e ruajtjes së së vërtetës historike dhe të dinjitetit të të gjithë atyre që kontribuuan për lirinë e vendit.

Një tjetër çështje e diskutuar gjatë takimeve ishte Ligji për Dhomat e Specializuara. Sipas Presidencës, Shiroka-Pula i informoi familjet se do të veprojë lidhur me këtë ligj brenda afateve të përcaktuara ligjore.

Në përfundim, presidentja siguroi familjet se Presidenca do të mbetet e hapur për to dhe do të veprojë brenda përgjegjësive kushtetuese e ligjore në mbështetje të përpjekjeve për drejtësi.

Published inNews Shqip