Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka reaguar pas tensioneve dhe përplasjeve gjatë protestave në Tiranë, duke u bërë thirrje të gjitha palëve të tregojnë përgjegjësi dhe vetëpërmbajtje.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, kreu i shtetit thekson se protesta paqësore është një e drejtë themelore në demokraci, ndërsa dhuna nuk duhet të përdoret si mënyrë për të shprehur pakënaqësitë. Ai nënvizon gjithashtu se edhe veprimet e policisë duhet të jenë në përputhje me ligjin dhe parimin e proporcionalitetit.
Begaj u është drejtuar edhe studentëve dhe të rinjve, duke u shprehur i gatshëm të dëgjojë shqetësimet e tyre dhe duke i ftuar në dialog.
“Zyra ime është dhe do të mbetet e hapur për çdo të ri e çdo qytetar që dëshiron të shprehet, të dialogojë dhe të kontribuojë për të mirën e vendit”, thuhet në reagimin e Presidentit.
Në përfundim, Begaj thekson se në këtë situatë është e rëndësishme që të gjithë të respektojnë Kushtetutën dhe ligjin, duke kërkuar që tensionet të mos përshkallëzohen më tej.
