Pas disa javësh protestash dhe bojkotimi të procesit mësimor, studentët kanë vendosur të ndryshojnë mënyrën e organizimit të revoltës, duke synuar të mos rrezikojnë më tej vitin akademik.
Sipas vendimit të tyre, studentët do të rikthehen në auditore gjatë ditëve të zakonshme të javës, ndërsa protesta do të vijojë përmes një strategjie të re. Çdo të mërkurë do të zhvillohet bojkot i plotë në të gjitha fakultetet e vendit, ku nuk do të zhvillohet asnjë proces mësimor, as nga studentët dhe as nga pedagogët.
Ndërkohë, e shtuna do të jetë dita e protestave kombëtare, me tubime masive që synojnë të mbajnë të gjallë reagimin studentor dhe të rrisin presionin ndaj institucioneve përgjegjëse.
Kësaj nisme i është bashkuar edhe Sindikata e Punonjësve të Universiteteve, e cila ka shprehur mbështetjen për kërkesat e studentëve. Njëkohësisht, drejtuesve të institucioneve të arsimit të lartë u është kërkuar mirëkuptim dhe bashkëpunim për të riorganizuar kalendarin akademik.
Në qendër të pakënaqësive mbeten kushtet e papërshtatshme në fakultete, mungesa e pajisjeve dhe e materialeve të nevojshme për zhvillimin e praktikave mësimore, si dhe kërkesa për një arsim më cilësor.
Përmes kësaj forme të re proteste, studentët synojnë të vazhdojnë betejën për plotësimin e kërkesave të tyre, pa sakrifikuar më tej ecurinë e vitit akademik.
