Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një mbledhje me ministrat, në një kohë kur protestat e studentëve në Tiranë janë shoqëruar me tensione dhe përplasje me policinë.
Sipas raportimeve mediatike, gjatë takimit të zhvilluar në mesditë, Rama ka ndarë qëndrimin e tij lidhur me protestuesit, duke bërë dallim mes personave të përfshirë në akte dhune dhe studentëve që kanë dalë për të shprehur pakënaqësitë e tyre.
Kryeministri mësohet të ketë deklaruar se personat e përfshirë në veprime të dhunshme nuk duhet të identifikohen si studentë. Ndërkohë, për studentët që protestojnë për të ngritur shqetësimet e tyre, ai ka kërkuar që zëri i tyre të dëgjohet dhe kërkesat të merren në konsideratë.
Protesta nisi para Ministrisë së Arsimit, por me kalimin e orëve situata u tensionua dhe pati përplasje me efektivët e policisë. Tubimi vijoi edhe ditën pasuese, ndërsa studentëve iu bashkuan gjimnazistë dhe qytetarë të tjerë, të cilët kërkojnë largimin e qeverisë.
