Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish ndaj artikujve të publikuar së fundmi nga mediat greke, të cilat kanë kritikuar investimet e huaja, veçanërisht ato amerikane, që pritet të realizohen në Shqipëri.
Në një reagim të bërë publik këtë pasdite, Rama theksoi se ndërsa Greqia ka përfituar ndjeshëm nga investimet e huaja dhe vazhdon të tërheqë kapitale ndërkombëtare, në Shqipëri po krijohen debate dhe përçarje rreth projekteve të ngjashme.
Sipas kreut të qeverisë, vendi nuk mund t’i mbyllë dyert investimeve të mëdha në një moment kur interesi i investitorëve të huaj po rritet, pas përpjekjeve shumëvjeçare për ta bërë Shqipërinë një destinacion më tërheqës për biznesin dhe turizmin.
Rama argumentoi se ekonomitë moderne dhe destinacionet turistike të suksesshme zhvillohen pikërisht falë kapitalit të huaj, duke shtuar se fokusi duhet të jetë te tërheqja e investimeve dhe jo te pengimi i tyre.
Për të mbështetur qëndrimin e tij, kryeministri publikoi edhe një artikull që analizon transformimin ekonomik të ishullit grek të Mykonosit, i cili është kthyer në një nga destinacionet më të frekuentuara turistike në Mesdhe falë investimeve të huaja të realizuara ndër vite.