Kryeministri Edi Rama deklaroi se Partia Socialiste është shkëputur nga e kaluara komuniste, duke akuzuar ndërkohë Sali Berishën se përfaqëson atë që ai e cilësoi si një mbetje të komunizmit.
Rama tha se PS është një parti liberale, e lidhur me Luftën Nacionalçlirimtare, por që sipas tij e ka ndarë qartë qëndrimin ndaj komunizmit dhe diktaturës.
“PS e ka të qartë që në hapat e parë raportin me atë pjesë që na lidh me diktaturën komuniste”, u shpreh Rama.
Sipas tij, Partia Socialiste ka vlerësuar rolin e komunistëve në historinë e vendit, ndërsa ka refuzuar sistemin komunist dhe pasojat e tij.
Në vijim, Rama kritikoi ashpër opozitën dhe Berishën, duke thënë se në krye të saj “vazhdon dhe mbijeton” një figurë që ai e përshkroi si “një mbeturinë të komunizmit në formën më të neveritshme”.
Duke iu referuar filozofit çek Václav Havel, Rama tha se kjo formë shfaqet te “komunisti-antikomunist”.
