Skip to content

Reagimi i fundit i Erion Braçes ngre pikëpyetje për të ardhmen në PS

Pas largimit të deputetes së Partisë Socialiste, Marjana Koçeku, e cila vendosi të mos jetë më pjesë e socialistëve, kryeministri Edi Rama paralajmëroi se mund të ketë largime të tjera nga partia gjatë kësaj periudhe, përfshirë edhe figura të ndikuara nga klima e protestave në vend.

Në këtë kontekst, deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar duke përjashtuar çdo mundësi largimi nga Partia Socialiste. Në një videomesazh të publikuar këtë të martë, ai deklaroi se nuk ka asnjë arsye për t’u shkëputur nga grupi parlamentar i PS-së apo për të dalë si deputet i pavarur.

Braçe theksoi se prej 35 vitesh është pjesë e familjes socialiste dhe se identiteti i tij politik është i lidhur ngushtë me Partinë Socialiste.

“Unë nuk kam arsye që të largohem nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste të Shqipërisë, aq më tepër të dal i pavarur. Kam 35 vite që militoj si socialist. Nuk jam një njeri neutral dhe nuk kam qenë kurrë i tillë”, u shpreh ai.

Deputeti nënvizoi gjithashtu se nuk do të heqë dorë nga mandati, duke argumentuar se është zgjedhur me votën e qytetarëve dhe se ka detyrimin t’i përfaqësojë ata deri në fund.

Sipas Braçes, fakti që në disa raste ka shprehur kritika apo ka kërkuar përmirësime në qeverisje nuk përbën arsye për t’u larguar nga PS-ja. Ai tha se ka zgjedhur gjithmonë t’i shprehë qëndrimet e tij brenda strukturave të partisë.

Në reagimin e tij, Braçe përjashtoi edhe mundësinë e pjesëmarrjes në protestën qytetare, e cila ka hyrë në ditën e 24-të. Ai theksoi se ka hapësirën e nevojshme për të ngritur shqetësimet dhe propozimet e tij brenda Partisë Socialiste dhe institucioneve ku ushtron mandatin.

“Kam zërin tim, angazhimin tim publik dhe mund t’i them gjërat përballë partisë dhe qeverisë sime. Nuk është nevoja të dal në bulevard për t’i folur qeverisë sime. Do të vazhdoj ta bëj këtë brenda forumit politik ku bëj pjesë”, deklaroi Braçe.

Në përfundim, deputeti socialist ritheksoi se do të vazhdojë të kontribuojë për Partinë Socialiste dhe për qytetarët që i kanë besuar votën, duke mbajtur qëndrime kritike sa herë që e konsideron të nevojshme.

Published inNews Shqip

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *