Skip to content

Tensione në Mesdhe/ Turqia dhe Greqia përplasen për kufijtë detarë, rriten shqetësimet!

Greqia ka nisur konsultimet me Egjiptin për zgjerimin e marrëveshjes së kufijve detarë në Mesdheun Lindor, në një kohë kur tensionet me Turqinë dhe Libinë janë shtuar. Ky zhvillim mund të ndikojë edhe në marrëdhëniet mes Athinës dhe Tiranës, pasi Greqia mund të rikthejë në tryezë negociatat për përcaktimin e kufirit detar me Shqipërinë.

 

Athina po intensifikon përpjekjet diplomatike për të përcaktuar hapësirat detare në rajon, pas ratifikimit nga Dhoma e Përfaqësuesve e Libisë të memorandumit detar mes Turqisë dhe Libisë.

 

Sipas raportimeve, ministrat e Jashtëm të Greqisë dhe Egjiptit, George Gerapetritis dhe Badr Abdelatty, kanë rënë dakord të nisin konsultimet për zgjerimin e marrëveshjes së vitit 2020, e cila përcakton Zonën Ekonomike Ekskluzive mes dy vendeve.

 

Greqia, nga ana e saj, vazhdon ta konsiderojë të pavlefshme marrëveshjen detare turko-libiane, duke argumentuar se ratifikimi i saj nga parlamenti libian nuk ndryshon statusin juridik të çështjes. Qëndrimi i Athinës është përmbledhur me shprehjen: “Gjeografia nuk ndryshon”.

 

A do të rikthehen negociatat për kufirin detar me Shqipërinë?

 

Zhvillimet e fundit mund t’i japin një shtysë të re edhe procesit të delimitimit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë, një çështje që mbetet ende e pazgjidhur mes dy vendeve.

 

Në prill, kryeministri Edi Rama dhe ministri i Jashtëm Ferit Hoxha zhvilluan takime në Athinë, ku u diskutuan edhe çështjet e hapura në marrëdhëniet dypalëshe, përfshirë përcaktimin e hapësirave detare. Pas takimeve, Hoxha konfirmoi dakordësinë për të vijuar punën për zgjidhjen e çështjeve të mbetura pezull.

 

Megjithatë, procesi ka edhe një dimension tjetër diplomatik, për shkak të qëndrimit të Turqisë ndaj marrëveshjeve detare në rajon. Ankaraja ka shprehur më herët kundërshtime lidhur me një marrëveshje të mundshme mes Shqipërisë dhe Greqisë.

 

Në dhjetor të vitit 2022, ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi në një intervistë për EURACTIV se Turqia kishte kundërshtuar fuqishëm marrëveshjen detare të nënshkruar nga Tirana dhe Athina në vitin 2009. Kjo marrëveshje u rrëzua më pas nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë.

 

Në vitin 2020, Shqipëria dhe Greqia arritën një dakordësi politike për t’ia referuar mosmarrëveshjen Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.

 

Ndërsa Turqia po forcon pozicionin e saj në Mesdhe përmes marrëveshjes me Libinë dhe Greqia po synon zgjerimin e bashkëpunimit detar me Egjiptin, mbetet për t’u parë nëse Athina do të ndërmarrë hapa konkretë për të riaktivizuar negociatat me Shqipërinë.

 

Një zhvillim i tillë do ta rikthente çështjen e kufirit detar në qendër të dialogut mes dy vendeve, në një periudhë kur rivaliteti për hapësirat detare në Mesdheun Lindor po merr një rëndësi të shtuar diplomatike.

 

Burimi: Pamfleti

 

Published inNews Shqip