Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.0 ka goditur rajonin e Tibetit, në jugperëndim të Kinës, të enjten rreth orës 22:33 sipas kohës lokale. Lajmi është bërë i ditur nga Qendra Kineze e Rrjeteve Sizmike (CENC).
Sipas mediave shtetërore kineze, të paktën dy persona janë plagosur në një fshat pranë epiqendrës së tërmetit, ndërsa disa banesa kanë pësuar dëmtime, përfshirë çarje në mure. Sipas raportimeve, ky është tërmeti më i fortë që ka goditur Kinën që nga janari i vitit 2024.
Epiqendra e lëkundjeve është lokalizuar në një zonë malore me popullsi të rrallë, në qarkun Nagqu, në veri të Tibetit. Tërmeti ka ndodhur në një thellësi prej rreth 10 kilometrash, në një rajon që ndodhet mesatarisht 4.864 metra mbi nivelin e detit dhe rreth 400 kilometra larg kryeqytetit rajonal, Lhasa.
Lëkundjet janë ndier edhe në zonat përreth. Pamjet e publikuara nga mediat lokale tregojnë banorë që janë larguar nga banesat e tyre dhe kanë qëndruar jashtë ose janë strehuar në automjetet e tyre nga frika e pasgoditjeve.
Disa prej tyre kanë treguar se lëkundjet i kanë zgjuar nga gjumi dhe se gjatë tërmetit kanë dëgjuar zhurma të forta nga ndërtesat.
Pas ngjarjes, ekipet e zjarrfikësve dhe të shpëtimit janë vënë në lëvizje drejt zonës së prekur për të vlerësuar dëmet dhe për t’u ardhur në ndihmë banorëve. Ndërkohë, pas tërmetit kryesor janë regjistruar edhe disa lëkundje të tjera me magnitudë 3 dhe 4.
Ngjarja ka rikthyer vëmendjen te tërmetet e fuqishme që kanë goditur më parë këtë rajon. Në vitin 2010, një tërmet me magnitudë 7.1 goditi zonën e Yushunit, në provincën fqinje Qinghai, duke shkaktuar të paktën 2.698 viktima, ndërsa rreth 300 persona të tjerë u raportuan të zhdukur.
