Skip to content

URGJENTE/ Policia reagon pas raportimeve për dorëheqje masive të efektivëve dhe shantazh ndaj pedagogëve!

Albert Nushi, shef i Sektorit të Drejtimit në Departamentin për Sigurinë Publike, ka reaguar përmes një deklarate për mediat lidhur me disa informacione që kanë qarkulluar ditët e fundit në rrjetet sociale. Ai i ka cilësuar këto raportime si të pavërteta, duke theksuar se synojnë të dëmtojnë imazhin dhe besimin e qytetarëve te Policia e Shtetit.

 

Sa u përket pamjeve të publikuara nga Rinasi, ku pretendohet se shtetas të huaj po sillen në Shqipëri për t’u mbajtur në burg, Nushi sqaroi se bëhet fjalë për persona që transportohen nga Italia drejt Gjadrit, në qendrën e pritjes për emigrantët e paligjshëm.

 

Ai u ndal edhe te mesazhet intimiduese që u janë dërguar disa mësuesve dhe pedagogëve, në emër të Policisë së Shtetit. Në këto mesazhe pretendohej se ata ishin filmuar gjatë pjesëmarrjes në tubime dhe se do të kontaktoheshin për t’u komunikuar akuza.

 

Sipas Nushit, këto mesazhe nuk janë dërguar nga Policia e Shtetit, por nga persona ende të paidentifikuar, të cilët synojnë të krijojnë panik dhe të dëmtojnë besimin e qytetarëve te institucionet.

 

Ai theksoi se e drejta për të marrë pjesë në tubime paqësore është e garantuar nga Kushtetuta dhe se Policia e Shtetit ka detyrimin ligjor ta respektojë dhe ta mbrojë atë. Sipas tij, çdo pretendim se kjo e drejtë nuk respektohet është i pavërtetë.

 

Gjithashtu, drejtuesi i Policisë hodhi poshtë raportimet për dorëheqje masive të efektivëve, duke i cilësuar ato si të pavërteta. Ai siguroi se asnjë drejtues policie nuk ka dhënë urdhra të paligjshëm për ushtrimin e dhunës gjatë ditëve të tubimeve.

 

Në përfundim, Nushi u bëri thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes ndaj informacioneve të pakonfirmuara që qarkullojnë në rrjetet sociale, duke nënvizuar se Policia e Shtetit është e angazhuar në zbatimin e ligjit dhe në garantimin e jetës, pronës dhe të drejtave të qytetarëve.

 

Published inNews Shqip