SHBA dhe Irani arrijnë marrëveshje paraprake për paqe, nënshkrimi pritet më 19 qershor në Gjenevë
Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë arritur një marrëveshje paraprake që synon t’i japë fund tensioneve dhe përplasjeve në rajon, pas një serie negociatash të ndërmjetësuara nga Pakistani. Lajmi u bë i ditur nga kryeministri pakistanez, Shehbaz Sharif, i cili e përshkroi marrëveshjen si një hap të rëndësishëm drejt stabilitetit dhe paqes në Lindjen e Mesme.
Sipas tij, dokumenti parashikon ndalimin e menjëhershëm të operacioneve ushtarake dhe nisjen, brenda 60 ditëve, të një procesi të ri negociatash për arritjen e një marrëveshjeje afatgjatë mes palëve.
Nënshkrimi zyrtar i marrëveshjes pritet të zhvillohet më 19 qershor në Geneva. Deri atëherë, ekipet teknike do të zhvillojnë takime për të përcaktuar mekanizmat e zbatimit dhe detajet procedurale të dokumentit.
Zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Kazem Gharibabadi, konfirmoi se bisedimet kanë qenë intensive dhe kanë përfshirë ndërmjetësim aktiv nga përfaqësues të Katarit, të cilët kanë luajtur rol kyç në finalizimin e memorandumit të mirëkuptimit ndërmjet Teheranit dhe Uashingtonit.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump konfirmoi se palët kanë arritur dakordësinë për dokumentin dhe njoftoi se masat për normalizimin e lëvizjes detare, përfshirë funksionimin e plotë të Ngushticës së Hormuzit, do të hyjnë në fuqi pas nënshkrimit zyrtar të marrëveshjes.
Sipas Trump, ky zhvillim do të ndihmojë në stabilizimin e tregjeve ndërkombëtare të energjisë dhe do të krijojë kushte më të favorshme për sigurinë rajonale.
Në një intervistë për Fox News, zëvendëspresidenti amerikan J. D. Vance bëri të ditur se planifikon të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit në Gjenevë, ndërsa nuk përjashtohet as pjesëmarrja e presidentit Trump.
Autoritetet iraniane kanë bërë të ditur se faza e ardhshme e negociatave do të fokusohet në katër çështje kryesore: lehtësimin e sanksioneve ekonomike, programin bërthamor iranian, projektet për zhvillim ekonomik dhe krijimin e një mekanizmi të përbashkët monitorimi për zbatimin e marrëveshjes.