SHTATORI NIS ME VAPA, PORJA PARALAJMËRON KTHESËN/ Temperaturat bien deri në 10 gradë pas datës 10
Sinoptikania Lajda Porja ka bërë një parashikim për motin në ditët e para të shtatorit, duke paralajmëruar temperatura të larta deri në datën 10 dhe një ndryshim të ndjeshëm të situatës më pas.
Sipas saj, vala e të nxehtit do të vijojë të mbizotërojë në vend, me temperaturat që në disa zona pritet të arrijnë 36-37°C.
Elbasani dhe Berati mund të shkojnë deri në 37°C, ndërsa në Tiranë temperaturat pritet të arrijnë rreth 36°C. Në Fier dhe Lushnjë parashikohen rreth 35°C. Në zonat malore termometri mund të ngjitet deri në 32°C, ndërsa përgjatë bregdetit priten temperatura rreth 33-34°C.
“Parashikoj që të paktën deri në datën 10 termometri në dy apo tre qarqe të Shqipërisë të regjistrojë 36-37 gradë. Janë vlera shumë të larta, duke qenë se zyrtarisht jemi futur në stinën e vjeshtës”, është shprehur Porja.
Në ditët në vijim, moti pritet të jetë kryesisht i kthjellët dhe i thatë në pjesën më të madhe të territorit. Në juglindje mund të shfaqen rrebeshe të izoluara shiu.
Pas 10 shtatorit pritet ndryshimi i madh
Sipas parashikimit, situata atmosferike pritet të ndryshojë ndjeshëm pas datës 10 shtator. Një masë ajrore më e ftohtë me origjinë nga veriu pritet të lëvizë drejt Ballkanit, duke sjellë rënie të temperaturave dhe kushte më tipike për vjeshtën.
Temperaturat që aktualisht arrijnë 36-37°C pritet të zbresin në 28-29°C, pra rreth 8-10 gradë më pak në disa zona.
“Pas datës 10 do të përjetojmë pak a shumë disa nuanca të stinës së vjeshtës. Do të ketë zona që do të jenë edhe 10 gradë më pak krahasuar me çfarë jemi tani. Pra, nga 37 gradë termometri pas datës 10 do të jetë rreth vlerës 28 apo 29 gradë”, ka deklaruar sinoptikania.
Freskimi pritet të zgjasë rreth katër deri në pesë ditë, ndërsa rreth datave 17-18 shtator temperaturat mund të nisin sërish të rriten.
Porja parashikon gjithashtu se temperaturat mbi normalen mund të vijojnë edhe gjatë tetorit dhe nëntorit, duke bërë që periudhat e ngrohta të zgjasin përtej muajve tipikë të verës. Ndërkohë, reshje shiu priten në periudha të ndryshme gjatë muajve të ardhshëm.
