VITI I RI SHKOLLOR ME RREGULLA TË REJA/ Kumbaro: “Rikthehemi me rigorozitet te ndalimi i celularëve”
Në prag të nisjes së vitit të ri shkollor 2026-2027, ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro ka zhvilluar takime me drejtuesit e institucioneve të arsimit parauniversitar, duke përcjellë disa nga prioritetet dhe rregullat e reja për shkollat.
Gjatë takimit me drejtorët e më shumë se 200 shkollave të Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniversitar në Tiranë, Kumbaro u ndal veçanërisht te udhëzimi i ri për vitin shkollor.
Në fokus do të jetë ndalimi i përdorimit të telefonave celularë gjatë procesit mësimor, zbatimi i Kodit të Etikës për mësuesit dhe stafet arsimore, si dhe krijimi i një atmosfere sa më pozitive për nxënësit që në ditën e parë të shkollës.
“Punojmë me të njëjtat parime dhe rregulla dhe përgatitemi për një vit të ri shkollor, duke përforcuar arritjet e vitit të kaluar, por edhe duke nxjerrë mësime nga problematikat që kemi hasur”, deklaroi ministrja.
Kumbaro theksoi se rregulli për celularët do të zbatohet me më shumë rigorozitet dhe se kjo qasje do të nisë edhe nga mësuesit.
Ajo u ndal gjithashtu te Kodi i Etikës, i miratuar për mësuesit, oficerët e sigurisë dhe punonjësit e shërbimit psikosocial. Sipas ministres, etika nuk lidhet vetëm me paraqitjen, por veçanërisht me mënyrën e komunikimit me nxënësit.
Një tjetër ndryshim i parashikuar në udhëzimin e ri lidhet me ditën e parë të shkollës. Kjo ditë do t’i kushtohet njohjes dhe prezantimit të nxënësve me shkollën, mësuesit, librat dhe bashkëmoshatarët e tyre.
Sipas Kumbaros, synimi është që viti i ri shkollor të nisë me rregulla të qarta, komunikim më të mirë dhe një mjedis sa më miqësor e mirëseardhës për të gjithë nxënësit.
