ZPS kërkon që koha në paraburgim të Thaçit të mos llogaritet në çështjen e pengimit të drejtësisë
Prokuroria e Specializuar e Hagës ka kërkuar që koha e kaluar në paraburgim nga ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të mos zbritet nga dënimi që mund t’i shqiptohet në çështjen për pengim të drejtësisë.
Në dosjen përfundimtare të çështjes “12”, ZPS argumenton se koha e kaluar nga Thaçi në paraburgim duhet të kreditohet vetëm në kuadër të çështjes “06”, për të cilën ai është dënuar me 25 vjet burgim.
Sipas Prokurorisë, Thaçi aktualisht mbahet në paraburgim mbi bazën e dy fletarrestimeve të veçanta: njëri që nga nëntori i vitit 2020 në çështjen “06”, ndërsa tjetri që nga nëntori 2024 në procedurën aktuale.
ZPS iu referohet Rregullës 163(6), e cila parashikon të drejtën e të akuzuarve për llogaritjen e kohës së kaluar në paraburgim para dënimit. Megjithatë, Prokuroria argumenton se në rastet kur një person mbahet në paraburgim për çështje të ndryshme, kjo periudhë duhet të merret parasysh vetëm një herë.
Në mbështetje të argumentit të saj, ZPS citon një vendim të Dhomës së Apelit në çështjen “Bemba et al.”, ku është trajtuar situata e një të akuzuari që ka kaluar kohë në paraburgim në kuadër të procedurave të ndryshme.
Sipas Prokurorisë, kjo qasje lidhet edhe me funksionin parandalues të dënimit për veprat që lidhen me pengimin e drejtësisë. ZPS argumenton se kreditimi i së njëjtës periudhë paraburgimi në dy çështje të ndryshme do të mund të ndikonte në këtë qëllim.
“Duke qenë se gjatë tërë këtyre procedurave THAÇI ka qenë gjithashtu i paraburgosur në lidhje me akuzat në Çështjen 6, çdo kreditim për kohën e kaluar në paraburgim duhet të zbritet vetëm nga dënimi i tij në atë çështje”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë drejtuar gjyqtarit vendimmarrës në çështjen “12”.
Për çështjen “12”, ZPS ka kërkuar gjashtë vjet burgim për Hashim Thaçin.
Nëse gjyqtari do ta pranonte kërkesën e Prokurorisë dhe koha e kaluar në paraburgim nuk do të llogaritej në dënimin për çështjen “12”, ndërsa 25-vjeçari i çështjes “06” do të mbetej në fuqi, dënimi i kërkuar në të dyja çështjet do të arrinte në 31 vjet burgim.
Për të akuzuarit e tjerë në çështjen për pengim të drejtësisë, ZPS ka kërkuar tre vjet burgim për Bashkim Smakajn, tre vjet për Isni Kilajn, tre vjet për Fadil Fazliun dhe nëntë muaj burgim për Hajredin Kuçin.
