Studentja denoncon dhunën e policisë gjatë protestës në Tiranë: Më goditën me shkop gome në kokë
Një tjetër denoncim për përdorim të forcës nga Policia e Shtetit është bërë publik pas protestës së zhvilluar më 13 tetor përpara Ministrisë së Arsimit dhe Sportit në Tiranë.
Griselda Katiraj, një nga studentet pjesëmarrëse në protestë, pretendon se është tërhequr nga turma dhe është goditur me shkop gome në pjesën e kokës. Si pasojë, ajo thotë se ka pësuar dëmtime në ballë, ndërsa këmbëngul se në ato momente nuk po kryente asnjë veprim të kundërligjshëm.
Në dëshminë e saj, studentja ka treguar momentet e përplasjes me efektivët e policisë, duke deklaruar se disponon edhe pamje filmike dhe fotografi të incidentit.
“Një nga policët më tërhoqi, më futi në mes të turmës dhe më kanë gjuajtur me shkop gome. Isha vetëm në ato momente. Shenja në ballë është nga shkopi i gomës, ndërsa policit i kam bërë edhe video edhe foto”, është shprehur Katiraj.
Denoncimi i saj vjen në një ditë të shoqëruar me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit në kryeqytet.
Sipas raportimeve për ngjarjet e ditës, gjashtë efektivë policie kanë mbetur të lënduar, ndërsa është raportuar edhe për dëmtimin e një gazetareje. Gjithashtu, 23 persona janë shoqëruar në komisariat pas incidenteve gjatë protestës.
Deri në sqarimin e plotë të rrethanave, pretendimet për përdorimin e forcës ndaj studentes mbeten për t’u verifikuar nga autoritetet përkatëse.
