Skip to content

Stuhia “Charles” drejt Ballkanit, moti përkeqësohet: Shqipëria në alarm, ja çfarë pritet

Stuhia “Charles” drejt Ballkanit, Shqipëria dhe rajoni përgatiten për mot të keq

Stuhia atlantike “Charles” pritet të godasë Portugalinë më 11 nëntor, me erëra që në zonat më të ekspozuara mund të arrijnë deri në 140 kilometra në orë. Autoritetet portugeze kanë shpallur alarm të kuq në tetë distrikte, përfshirë Lisbonën, ndërsa kanë vendosur mbylljen e shkollave dhe të shërbimeve publike joesenciale.

Sipas BBC Weather, moti i keq pritet të përfshijë edhe jugun e Francës dhe veriperëndimin e Italisë, përpara se reshjet dhe erërat e fuqishme të shtrihen në pjesë të Ballkanit Perëndimor.

Në Shqipëri, përkeqësimi i ndjeshëm i motit pritet të nisë të premten, më 13 nëntor. Veriu dhe veriperëndimi i vendit do të përballen me rrebeshe të forta shiu, ndërsa në pjesën tjetër të territorit reshjet parashikohen më të pakta.

Të enjten dhe të premten, era mund të arrijë shpejtësi deri në 80 kilometra në orë, ndërsa pranë brigjeve jugperëndimore priten erëra me shpejtësi rreth 65 kilometra në orë.

Në Kroaci, përgjatë bregdetit Adriatik, parashikohen erëra me forcë stuhie, ndërsa në Bosnje-Hercegovinë reshjet më intensive priten në Hercegovinë dhe në pjesën perëndimore të vendit.

Në zonat malore, gjatë natës drejt së shtunës, reshjet e shiut mund të shndërrohen në dëborë.

Moti i paqëndrueshëm pritet të prekë gjithashtu Malin e Zi, Slloveninë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe disa pjesë të Greqisë.

Published inNews Shqip