Sulm i rëndë në Uznach: 25-vjeçari kosovar plagoset rëndë, arrestohet një i dyshuar
Një burrë 25-vjeçar është plagosur rëndë pas një sulmi të dhunshëm që ka ndodhur të dielën në Uznach, më 7 qershor 2026. Autoritetet zvicerane kanë arrestuar një të dyshuar 40-vjeçar me shtetësi zvicerane, ndërsa rrethanat e ngjarjes mbeten ende të paqarta.
Sipas Policisë Kantonale të St. Gallenit, ngjarja ndodhi në Grynaustrasse, ku viktima dyshohet se u sulmua me një objekt të mprehtë. Jeta e tij ka qenë në rrezik pas plagëve të marra.
Rreth orës 15:00, shërbimet emergjente morën një njoftim për një person të plagosur në rrugë. Patrullat policore e gjetën 25-vjeçarin në një dyqan pranë banesës së tij, ku më pas mori ndihmën e parë mjekësore nga ekipet emergjente dhe u transportua me urgjencë në spital.
Sipas hetimeve fillestare, i dyshuari dyshohet se ka hyrë në apartamentin e viktimës dhe e ka sulmuar atë brenda banesës. Megjithatë, motivi, marrëdhënia mes dy personave dhe rrethanat e sakta të ngjarjes ende nuk janë sqaruar.
Në vendngjarje kanë ndërhyrë disa patrulla policore, ekipe të specializuara hetimore dhe shërbimi i ambulancës, ndërsa hetimet po udhëhiqen nga Prokuroria e Kantonit të St. Gallenit.