Të shtëna në Norvegji/ Vriten babë e bir, një tjetër person plagoset rëndë
Një ngjarje e rëndë me armë zjarri ka tronditur zonën pranë Haldenit, në jug të Norvegjisë, ku dy persona, babë e bir, kanë humbur jetën, ndërsa një tjetër është plagosur rëndë.
Sipas policisë lokale, një person i armatosur dyshohet se ka hapur zjarr ndaj një grupi gjuetarësh. I dyshuari, një burrë rreth të 20-ave, është arrestuar në vendngjarje dhe më pas është shoqëruar në polici.
Autoritetet bëjnë të ditur se i dyshuari nuk ishte pjesë e grupit të gjuetarëve dhe ndaj tij rëndon dyshimi për vrasje.
Sipas transmetuesit publik norvegjez NRK, të shtënat ndodhën gjatë një grumbullimi të gjuetarëve, në momentin kur grupi po përgatitej të përcaktonte pozicionet për gjueti.
Policia mori njoftimin rreth orës 07:30, pasi u raportua se disa persona ishin qëlluar në një adresë në Halden. Rreth 30 minuta më vonë, autoritetet njoftuan se kishin neutralizuar dhe arrestuar të dyshuarin.
Ushtruesja e detyrës së shefes së policisë, Vibeke Schøen, e cilësoi ngjarjen si një incident tepër të rëndë dhe tragjik, duke shprehur ngushëllime për familjet e viktimave dhe të prekurve.
Pas ngjarjes, komuna e Haldenit ka ngritur një shtab krize për menaxhimin e situatës. Kryetari i komunës, Fredrik Holm, konfirmoi aktivizimin e strukturës përkatëse për NRK.
Haldeni ndodhet rreth 96 kilometra në juglindje të Oslos, pranë kufirit me Suedinë.
Policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar motivin e sulmit.
