TRE TËRMETE NË 24 MINUTA/ Turqia tronditet nga lëkundje të njëpasnjëshme, më i forti 5.2
Tre tërmete të njëpasnjëshme kanë goditur këtë të diel jugun e Turqisë, duke shkaktuar lëkundje në zonat e Adanës dhe Osmanijes.
Sipas të dhënave të Autoritetit turk për Menaxhimin e Emergjencave dhe Fatkeqësive (AFAD), tre lëkundjet janë regjistruar brenda vetëm 24 minutash.
Tërmeti i parë u regjistrua në orën 14:19, në Saimbeyli të provincës Adana, me magnitudë 4.8 dhe në një thellësi prej rreth 8 kilometrash.
Vetëm 17 minuta më vonë, në orën 14:36, e njëjta zonë u godit nga një tjetër tërmet, këtë herë me magnitudë 4.9, me epiqendër në një thellësi prej rreth 8.7 kilometrash.
Aktiviteti sizmik vijoi edhe shtatë minuta më pas. Në orën 14:43, në Sumbas të provincës Osmanije, u regjistrua lëkundja më e fortë, me magnitudë 5.2 dhe në një thellësi prej rreth 7 kilometrash.
Tre lëkundje në më pak se gjysmë ore:
- 14:19 – Saimbeyli, Adana: 4.8
- 14:36 – Saimbeyli, Adana: 4.9
- 14:43 – Sumbas, Osmanije: 5.2
Lëkundjet janë ndjerë edhe në zona përreth. Pas tërmeteve, ekipet e emergjencave kanë nisur kontrollet në terren për të vlerësuar situatën.
Sipas raportimeve fillestare, deri në momentin e raportimeve nuk janë evidentuar dëme të rënda, ndërsa autoritetet vijojnë monitorimin e zonës.
Pas tre lëkundjeve kryesore janë regjistruar edhe disa pasgoditje me magnituda më të ulëta, ndërsa ekipet në terren po vijojnë verifikimet.
