Meteorologia Tanja Porja ka paralajmëruar se vendi do të përfshihet nga një valë e fortë të nxehti gjatë kësaj jave, ku temperaturat në disa zona pritet të arrijnë deri në 36 gradë Celsius.
Sipas saj, krahas temperaturave të larta, gjatë orëve të pasdites do të ketë edhe reshje të shkurtra lokale, kryesisht në zonat lindore dhe juglindore të vendit. Megjithatë, fundjava parashikohet të sjellë mot kryesisht të kthjellët dhe kushte ideale për pushuesit në bregdet.
Porja theksoi se gjatë ditës së sotme temperaturat do të luhaten nga 34 deri në 35°C, ndërsa pasdite pritet shtim i vranësirave dhe mundësi për rrebeshe të izoluara në zonat malore.
Edhe dita e mërkurë do të mbetet shumë e nxehtë, me termometrin që pritet të shënojë deri në 36°C. Reshjet afatshkurtra do të vijojnë kryesisht në lindje dhe juglindje të territorit shqiptar.
Ndërkohë, të enjten temperaturat do të pësojnë një ulje të lehtë, por moti i paqëndrueshëm do të përfshijë një territor më të gjerë. Reshje të shkurtra priten edhe në veri të vendit, kryesisht gjatë pasdites.
Fundjava parashikohet të dominohet nga kthjellimet dhe vranësirat kalimtare, ndërsa reshjet do të jenë minimale dhe të izoluara vetëm në zonat malore lindore.
Megjithëse temperaturat do të pësojnë një rënie graduale nga e premtja deri të dielën, moti do të mbetet i nxehtë në të gjithë vendin. Maksimumet pritet të luhaten nga 31 deri në 33 gradë Celsius, duke krijuar kushte të favorshme për pushime dhe aktivitete në bregdet.