Vala afrikane e të nxehtit përfshin Shqipërinë, temperaturat pritet të arrijnë deri në 38°C
Shqipëria pritet të përballet me një javë tepër të nxehtë, pasi masat ajrore afrikane që kanë përfshirë pjesën më të madhe të Evropës do të ndikojnë ndjeshëm edhe vendin tonë.
Meteorologia Lajda Porja bëri të ditur se temperaturat do të vijojnë të rriten gjatë gjithë javës, ndërsa fundjava pritet të sjellë kulmin e valës së të nxehtit. Sipas parashikimeve, termometri do të shënojë deri në 37-38 gradë Celsius në disa zona të vendit.
Në ditët e para të javës temperaturat do të luhaten rreth 36-37 gradë, ndërsa nga e enjtja deri të dielën pritet një tjetër rritje. Zonat më të prekura do të jenë Shkodra, Berati, Elbasani dhe Gjirokastra, ku parashikohen edhe vlerat më të larta termike.
Megjithatë, përveç vapës intensive, në disa zona qendrore dhe lindore nuk përjashtohen rrebeshe të shkurtra shiu gjatë orëve të pasdites, të shoqëruara herë pas here me stuhi ere.
Sipas meteorologes, muaji qershor do të mbyllet me temperatura rreth 7 deri në 8 gradë më të larta se mesatarja normale për këtë periudhë, duke e bërë fundin e muajit ndër më të nxehtët e viteve të fundit.
Ekspertët këshillojnë qytetarët të shmangin lëvizjet gjatë intervalit të pikut të vapës, nga ora 10:30 deri në 14:30, si dhe të konsumojnë sa më shumë lëngje për të shmangur problemet që lidhen me temperaturat e larta.
Edhe vendet e rajonit do të përjetojnë kushte të ngjashme atmosferike. Kosova dhe Maqedonia e Veriut do të kenë ditë me temperatura të larta, ndërsa në Maqedoninë e Veriut parashikohen edhe rrebeshe lokale, stuhi ere dhe mundësi për breshër gjatë orëve të pasdites.
Sipas parashikimeve, dita më e nxehtë e javës do të jetë e shtuna, kur temperaturat do të arrijnë kulmin si në Shqipëri ashtu edhe në pjesën më të madhe të rajonit.