Skip to content

Tension në Kuvend: Kurti nuk propozon kandidat, seanca ndërpritet sërish

Tensione në Kuvend, seanca ndërpritet sërish – Kadrijaj reagon me vezë

 

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është ndërprerë sërish, pasi Lëvizja Vetëvendosje nuk paraqiti kandidatin për kryetar të Kuvendit.

 

Në nisje të seancës u konstatua prania e 109 deputetëve. Punimet vijuan me pikën e rendit të ditës për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, por kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, nuk propozoi një emër për këtë post.

 

Në mungesë të kandidaturës, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, njoftoi ndërprerjen e punimeve, duke mos u kaluar në procedurën e votimit.

 

Pas ndërprerjes së seancës, situata në sallën e Kuvendit u tensionua. Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, hodhi vezë në drejtim të Albin Kurtit, në shenjë proteste ndaj mënyrës se si po zhvillohet procesi i konstituimit të Kuvendit.

 

Opozita ka kritikuar vazhdimisht Vetëvendosjen për zvarritjen e procesit të konstituimit, ndërsa përplasjet mes deputetëve janë intensifikuar gjatë seancave të fundit.

 

Ndërprerja e radhës vjen pas një serie përpjekjesh të pasuksesshme për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke e mbajtur ende të hapur krizën institucionale.

 

Situata pritet të sjellë reagime të reja nga partitë politike, ndërsa mbetet e paqartë se kur do të ketë një marrëveshje për të zhbllokuar procesin e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit.

https://www.facebook.com/reel/1411027560940303/?mibextid=9drbnH

Published inNews Shqip