Një tërmet me magnitudë 5.7 të shkallës Rihter goditi mëngjesin e së premtes një zonë detare pranë Kretës, në Greqi, duke u ndjerë fuqishëm në jug të ishullit.
Lëkundjet u ndjenë veçanërisht në zonat Sitia dhe Ierapetra, ku banorët përjetuan momente paniku.
Sipas kryebashkiakut të Sitias, Giorgos Zervakis, tërmeti ishte i fortë dhe me kohëzgjatje të konsiderueshme, çka rriti shqetësimin te qytetarët. Megjithatë, autoritetet lokale kanë bërë thirrje për qetësi, duke theksuar se situata po monitorohet nga afër. Deri më tani nuk raportohen dëme materiale apo persona të lënduar.
Pas goditjes kryesore, janë regjistruar edhe disa pasgoditje me magnitudë nga 3.5 deri në 3.8 Rihter.
Sipas ekspertëve, epiqendra ishte në jug të rajonit Lasithi, me një thellësi relativisht të vogël prej rreth 5 kilometrash, çka shpjegon përhapjen e gjerë të lëkundjeve deri në Kasos dhe Karpathos.
Sizmologët theksojnë se kjo zonë është e njohur për aktivitet të lartë sizmik për shkak të përplasjes së pllakave tektonike afrikane dhe euroaziatike.
Eksperti Vasilis Karastathis e cilësoi tërmetin si një fenomen të zakonshëm për rajonin, ndërsa sizmologu Akis Tselentis deklaroi se nuk pritet një tërmet më i fortë, por paralajmëroi për pasgoditje në ditët në vijim.
Ai gjithashtu këshilloi qytetarët të shmangin përkohësisht aktivitetet në det për shkak të një rreziku të vogël për valë sizmike dhe të kontrollojnë ndërtesat e vjetra për dëmtime të mundshme.
Ekspertët rikujtojnë se aktiviteti sizmik në Kretë lidhet drejtpërdrejt me përplasjen e pllakës tektonike afrikane me atë euroaziatike, duke e bërë rajonin një nga zonat më aktive sizmike në Mesdhe.