Moti ndryshon, por temperaturat surprizojnë: Ja çfarë pritet gjatë fundjavës
Fundjava pritet të sjellë mot kryesisht të qëndrueshëm në pjesën më të madhe të vendit, me intervale të gjata me diell dhe temperatura relativisht të larta për këtë periudhë të vitit.
Meteorologu i MeteoAlb, Hakil Osmani, deklaroi se temperaturat maksimale gjatë fundjavës mund të arrijnë deri në 27-28°C, ndërsa mëngjeset do të vijojnë të jenë të freskëta.
Në zonat malore, temperaturat minimale pritet të zbresin në rreth 8-9°C, ndërsa në ultësirën perëndimore vlerat minimale do të luhaten nga 13°C deri në 17-18°C përgjatë zonave bregdetare.
Gjatë ditës priten periudha të gjata me diell, duke krijuar kushte të mira edhe për ata që zgjedhin bregdetin për të kaluar fundjavën. Në zonat malore mund të shfaqen vranësira të lehta gjatë pasdites, por pa reshje të konsiderueshme shiu.
Çfarë pritet gjatë pjesës së parë të tetorit?
Sipas parashikimit të Osmanit, 15 ditët e para të tetorit pritet të karakterizohen përgjithësisht nga temperatura mbi normat sezonale.
Temperaturat e mëngjesit parashikohet të jenë rreth 1.5°C mbi mesataren, ndërsa gjatë ditëve në vijim pritet një tjetër rritje e temperaturave.
Megjithatë, moti nuk do të jetë plotësisht i thatë. Gjatë gjysmës së parë të muajit priten një ose dy episode me reshje, ndërsa një prej tyre mund të regjistrohet gjatë fundjavës së ardhshme.
Në atë periudhë pritet shtim i vranësirave dhe shfaqje të reshjeve të shiut, të cilat në disa zona mund të shoqërohen edhe me rrebeshe.
Në pjesën tjetër të 15-ditëshit, parashikimi favorizon kryesisht ditët me diell dhe temperatura mbi vlerat normale për muajin tetor.
