Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar në aksin kombëtar Librazhd–Elbasan, në zonën e Xibrakës, ku disa automjete janë përplasur mes tyre në rrethana ende të paqarta. Si pasojë, një person ka humbur jetën dhe gjashtë të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Sipas informacioneve paraprake, në aksident janë përfshirë të paktën katër automjete. Përplasja e fortë ka lënë të plagosur gjashtë persona, të cilët janë transportuar me urgjencë në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Ndërkohë, një prej të përfshirëve në aksident, shtetas i huaj, nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë në vendngjarje.
Burime nga terreni bëjnë me dije se pritet një konfirmim zyrtar nga autoritetet për detaje të mëtejshme mbi ngjarjen.
Aksidenti ka shkaktuar edhe bllokim të qarkullimit në këtë segment rrugor, duke krijuar trafik dhe radhë të gjata automjetesh.
Në vendngjarje kanë mbërritur tre autoambulanca dhe dy mjete zjarrfikëse, ndërsa forcat e policisë dhe ekipet e emergjencës po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit dhe normalizimin e trafikut.