Një incident serioz është shënuar në një burg në Kretë, Greqi, ku katër të burgosur i kanë vënë flakën qelisë në shenjë proteste pasi kërkesa e tyre për transferim nuk u pranua.
Ngjarja ndodhi në paraburgimin e Agia Chania. Sipas autoriteteve, të burgosurit kishin kërkuar të zhvendoseshin në një sektor tjetër për shkak të konflikteve me persona të tjerë, por kërkesa e tyre ishte lënë për shqyrtim pas procedurave të brendshme.
Në shenjë reagimi, ata i vunë flakën një dysheku brenda qelisë, duke shkaktuar tym të dendur dhe rrezik për përhapjen e zjarrit. Gardianët ndërhynë menjëherë, hapën qelinë dhe arritën të neutralizojnë flakët me mjete zjarrfikëse.
Si pasojë e incidentit, katër të burgosurit u dërguan në spitalin e Hanias për trajtim mjekësor, ndërsa edhe tre punonjës të burgut morën ndihmë për shkak të asfiksisë nga tymi. Fatmirësisht, të gjithë ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Reagimi i shpejtë i stafit shmangu përhapjen e zjarrit në pjesë të tjera të institucionit, duke parandaluar pasoja më të rënda. Ndërkohë, autoritetet kanë nisur procedura penale dhe disiplinore ndaj personave të përfshirë në këtë ngjarje.


Be First to Comment