Tragjedi në Durrës – Dy të mitur humbin jetën, familjet hapin dyert e mortit
Familja Nikolli, me origjinë nga Puka dhe prej vitesh banore në Durrës, ka hapur sot dyert e mortit për vogëlushin e tyre, Klesin 9-vjeçar, i cili humbi jetën tragjikisht një ditë më parë. Ai dhe shoku i tij, Enea Muçaj 12 vjeç, u përplasën për vdekje nga një automjet i drejtuar nga 57-vjeçari Nikoll Radaçi.
Sipas raportimeve, pak orë para ngjarjes së rëndë, babai i Klesit, Petrit Nikolli, kishte ndryshuar foton e profilit në Facebook, duke vendosur një moment të ngrohtë ku i biri e përqafonte. Një veprim që sot shihet si prekës, pasi vetëm disa orë më vonë ai do të përballej me humbjen më të madhe të jetës së tij.
Rreth orës 08:00 të mëngjesit, Petriti publikoi fotografinë me të birin, ndërsa vetëm tetë orë më pas mori lajmin tragjik se Klesi nuk jetonte më.
Mes dhimbjes së thellë, familjet Nikolli dhe Muçaj po përcjellin për në banesën e fundit dy fëmijët, jetët e të cilëve u ndërprenë padrejtësisht në një moshë kaq të hershme.
Ndërkohë, drejtuesi i automjetit, Nikoll Radaçi, është arrestuar nga policia, pasi dyshohet se ka qenë në gjendje të dehur në momentin e aksidentit. Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik, ku shumë qytetarë dhe figura publike e kanë cilësuar si një akt me pasoja të rënda kriminale.
Si pasojë e ngjarjes, në Policinë e Durrësit janë marrë masa administrative, duke përfshirë pezullimin e disa drejtuesve, mes tyre drejtori Amir Tafa, zëvendësi i tij Zija Sulaj dhe shefi i Policisë Rrugore, Kreshnik Skëndo.
Raportohet se përkohësisht drejtimin e Policisë së Durrësit do ta marrë Ervin Hodaj, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë nga një grup i posaçëm hetimor nën drejtimin e strukturave përkatëse.