Eric Wendt konfirmohet ambasador i SHBA-së në Shqipëri
Gjenerallejtënantit në pension, Eric Wendt, është konfirmuar zyrtarisht në detyrën e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri.
Lajmi është bërë i ditur nga Ambasada e SHBA-së në Tiranë përmes një postimi në rrjetet sociale, ku i ka uruar Wendt për detyrën e re.
Sipas ambasadës amerikane, gjatë mandatit të tij në Shqipëri, Wendt pritet të ketë në fokus forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë, fuqizimin e NATO-s dhe promovimin e marrëveshjeve të drejta për bizneset amerikane, në përputhje me vizionin e Presidentit Donald Trump.
“U konfirmua! Urime Gjenerallejtënantit (në pension) Eric Wendt për rolin e tij të ri si Ambasadori i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri! Presim me kënaqësi Ambasadorin e emëruar Wendt në Tiranë, nga ku do të mbështesë vizionin e Presidentit Trump për siguri të përbashkët, një NATO më të fortë dhe marrëveshje të drejta për bizneset amerikane”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
Me konfirmimin e tij, Wendt pritet të marrë zyrtarisht detyrën diplomatike amerikane në Tiranë.

