Trusti i Kosovës shënon rekord, 312 milionë euro kthim nga investimet në gjashtë muajt e parë të vitit
Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) ka regjistruar rezultatin më të lartë në historinë e tij, duke arritur një performancë rekord gjatë gjysmës së parë të vitit 2026.
Sipas njoftimit të Trustit, nga janari deri në qershor të vitit 2026 janë realizuar rreth 312 milionë euro kthim bruto nga investimet, shifër kjo që përbën rezultatin më të mirë të arritur ndonjëherë në një periudhë gjashtëmujore.
Nga FKPK kanë bërë të ditur se ky sukses lidhet me performancën pozitive të tregjeve financiare ndërkombëtare dhe strategjinë e investimeve të zbatuar nga fondi.
Rezultate të mira janë shënuar edhe në vitet paraprake. Sipas të dhënave të publikuara nga Trusti, gjatë viteve 2023, 2024 dhe 2025 janë gjeneruar rreth 644 milionë euro kthim bruto nga investimet.
Në total, nga 1 janari 2023 deri më 30 qershor 2026, Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës ka krijuar rreth 956 milionë euro kthim bruto, duke shënuar një nga periudhat më të suksesshme financiare të institucionit.
Trusti ka sqaruar se këto nuk janë pagesa direkte për qytetarët, por fitime nga investimi i kursimeve pensionale, të cilat pasqyrohen në rritjen e vlerës së llogarive individuale të kontribuuesve.
Investimet e FKPK-së realizohen kryesisht në tregjet financiare ndërkombëtare, ndërsa kthimet u atribuohen llogarive pensionale të qytetarëve sipas rregullave dhe politikave të fondit.
Nga Trusti kanë theksuar se do të vazhdojnë me një qasje të kujdesshme dhe afatgjatë në investime, me qëllim ruajtjen dhe rritjen e vlerës së kursimeve pensionale të qytetarëve të Kosovës.


Be First to Comment