🚨 Policia Rrugore me masa të reja për shoferët – monitorim me dronë, kamera dhe ndëshkime në kohë reale
Policia e Shtetit ka prezantuar një plan të ri masash për rritjen e sigurisë në rrugë dhe goditjen e shkeljeve nga drejtuesit e automjeteve. Sipas deklaratës së Drejtorit të Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike, Dhimitraq Ziu, tashmë monitorimi i trafikut do të bëhet me teknologji të avancuar, përfshirë dronë, kamera, radarë shpejtësie, alkooltestues dhe drogëtestues.
Autoritetet bëjnë me dije se në akset kombëtare patrullat nuk do të ndalojnë automjetet pa arsye, por shkeljet do të evidentohen përmes pajisjeve teknologjike dhe gjobat do të pasqyrohen menjëherë në e-Albania.
Policia paralajmëron masa të forta ndaj drejtuesve që kryejnë manovra të rrezikshme, parakalime të gabuara apo lëvizin me shpejtësi të lartë, duke rrezikuar jetën e përdoruesve të rrugës.
Gjatë 4 muajve të parë të vitit 2026 janë arrestuar mbi 1000 shoferë për drejtim mjeti në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi, ndërsa mijëra të tjerë janë ndëshkuar për shpejtësi, përdorim celulari, mungesë rripi sigurimi dhe parkime të gabuara.
Policia Rrugore apelon për respektimin e rregullave, duke theksuar se çdo shkelje apo sjellje agresive në rrugë do të ndëshkohet maksimalisht.