Shtatë protestues përballen me akuza për vandalizëm në resortin e Trumpit, përmendet edhe “lidhja terroriste”
Shtatë persona të akuzuar për dëmtimin e resortit të golfit “Turnberry”, në pronësi të Donald Trumpit, po përballen me akuza penale që përfshijnë edhe pretendimin për një “lidhje terroriste”.
Çështja lidhet me një protestë të zhvilluar më 8 mars 2025 në resortin e Trumpit në Ayrshire të Skocisë. Sipas aktakuzës së dorëzuar në Gjykatën e Lartë në Glasgow, vepra penale është rënduar në bazë të nenit 31 të Ligjit për Kundërterrorizmin të vitit 2008, i ndryshuar në vitin 2021.
Sipas BBC, shtatë të akuzuarit janë Kieran Robson, 35 vjeç, Uzma Bashir, 56 vjeç, Ricky Southall, 34 vjeç, Autumn Taylor Ward, 22 vjeç, Rebecca Sian Davies, 29 vjeç, John Moxley, 58 vjeç dhe Dylan Chiaramello, 24 vjeç.
Të gjithë akuzohen për dëmtim të pronës pas protestës. Prokuroria pretendon se ata kanë dëmtuar fushën e golfit duke hequr barin, duke përdorur herbicide dhe duke shkaktuar dëme në sistemin e ujitjes, të cilat sollën edhe përmbytje. Gjithashtu, një ndriçues në resort dyshohet se është dëmtuar.
Në disa pjesë të fushës dhe ndërtesave pretendohet se janë shkruar slogane si “Free Gaza”, “Free Palestine” dhe “Gaza is not for sale”, krahas mesazheve fyese ndaj Trumpit.
Organizata “Defend Our Juries” ka kundërshtuar mënyrën se si është trajtuar çështja, duke argumentuar se përdorimi i pretendimit për “lidhje terroriste” mund të sjellë dënime më të ashpra për të akuzuarit, edhe pse ata nuk janë akuzuar për vepra terroriste.
Seanca e planifikuar për të hënën e ardhshme në Gjykatën e Lartë në Glasgow është shtyrë. Shërbimi i Gjykatave dhe Tribunaleve të Skocisë ka njoftuar se seanca e radhës do të zhvillohet në tetor.
Robson përballet edhe me një akuzë tjetër, pasi dyshohet se e ka kryer veprën ndërsa ishte në lirim me kusht. Sipas aktakuzës, ai ishte liruar me kusht nga Gjykata e Sherifit në Edinburgh më 9 janar 2025.
Rasti vjen pas dënimit të katër anëtarëve të “Palestine Action”, të cilët në qershor morën dënime më të gjata me burg për një sulm ndaj një fabrike të operuar nga kompania izraelite e mbrojtjes “Elbit Systems”. Gjatë incidentit u shkaktuan dëme me vlerë mbi 1 milion paund dhe gjyqtari vlerësoi se vepra kishte “lidhje terroriste”.
Dënimet u kritikuan nga organizata për të drejtat e njeriut dhe mbështetësit e të dënuarve, të cilët i konsideruan ato joproporcionale.
“Palestine Action” u shpall organizatë terroriste e ndaluar në Mbretërinë e Bashkuar në korrik 2025. Më vonë, Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin e qeverisë, duke argumentuar se grupi kishte “promovuar hapur dhunën e paligjshme që përbën terrorizëm”.
Bashkëthemeluesja e organizatës, Huda Ammori, po kërkon leje për ta kundërshtuar ndalimin në Gjykatën Supreme të Mbretërisë së Bashkuar.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur gjithashtu “Palestine Action” organizatë terroriste. Administrata Trump deklaroi se masa ishte pjesë e përpjekjeve kundër asaj që e cilësoi si “ekstremistë të së majtës ekstreme”.
