Kurti reagon pas dënimit të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë: Vendim i padrejtë, duhet të ndryshohet në Apel
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë, e cila dënoi me gjithsej 81 vite burgim katër ish-krerët e UÇK-së: Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.
Në reagimin e tij, Kurti e cilësoi vendimin si “padrejtësi të papranueshme”, duke theksuar se dënimi është i rëndë dhe i dëmshëm.
Ai kërkoi që aktgjykimi të rishikohet dhe të korrigjohet në shkallën e Apelit, sa më shpejt të jetë e mundur. Kurti gjithashtu shprehu mbështetjen e tij për familjet e ish-krerëve të UÇK-së dhe bashkëluftëtarët e tyre.
Sipas Kurtit, vendimi i sotëm ka rrëzuar pretendimin më të rëndë ndaj UÇK-së, atë se organizata kishte kryer një sulm të gjerë dhe sistematik kundër popullsisë civile.
“Shpallja fajtorë dhe dënimi kaq i rëndë për katër ish-krerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është padrejtësi e papranueshme”, deklaroi Kurti.
Ai shtoi se aktgjykimi nuk duhet të ngatërrohet me vullnetin e popullit të Kosovës dhe se procesi gjyqësor duhet të vazhdojë në shkallën e Apelit.
Në përfundim, Kurti iu referua edhe historikut të akuzave ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke përmendur pretendimet e ngritura ndër vite dhe duke theksuar se çështja nuk duhet të konsiderohet e përfunduar me vendimin e sotëm.
