Skip to content

VV-LDK në bisedime: Dalin dy emrat konsensualë që po shqyrtohen

Dy figura të njohura të politikës dhe jetës publike në Kosovë po përmenden si kandidatë të mundshëm konsensualë për postin e Presidentit, në kuadër të komunikimeve ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së.

Lajmi është bërë i ditur nga gazetari Leonard Kërçuki, i cili ka ngritur pikëpyetjen se cili prej dy emrave, Ibrahim Berisha apo Iljaz Ramajli, mund të jetë zgjedhja për kreun e shtetit.

Sipas Kërçukit, të dy emrat janë diskutuar edhe para zgjedhjeve të 7 qershorit. Ibrahim Berisha, 71-vjeçar, është një nga figurat e hershme të LDK-së. Ai ka qenë pjesë e dy kryesive të para të kësaj partie dhe konsiderohet ndër themeluesit e LDK-së dhe të QIK-ut. Berisha është njohur gjithashtu si një nga gazetarët e parë të “Rilindjes” që u distancuan nga Partia Komuniste.

Emri tjetër i përmendur është Iljaz Ramajli, 75 vjeç, një figurë e rëndësishme e skenës politike kosovare gjatë viteve ’90. Ai ka shërbyer si nënkryetar i Kuvendit Krahinor dhe ka drejtuar seancën historike të 7 shtatorit 1990 në Kaçanik, ku u miratua Kushtetuta e Kosovës.

Gjatë viteve ’90, Ramajli ka drejtuar edhe Zyrën e Kosovës në Tiranë. Sipas Kërçukit, ai ishte përmendur edhe në vitin 2011 si kandidat për President, por kishte refuzuar postin. Pas kësaj, në krye të shtetit u zgjodh Atifete Jahjaga.

Ndërkohë, në kuadër të diskutimeve për një kandidat që do të mund të siguronte mbështetje të gjerë politike, janë përmendur edhe ish-ministri Haki Demolli dhe ish-Presidenti Fatmir Sejdiu.

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse ndonjëri prej këtyre emrave do të arrijë të marrë mbështetjen e të dyja partive. Zhvillimet e ditëve në vijim pritet të qartësojnë nëse VV dhe LDK do të mund të arrijnë një marrëveshje për një kandidat konsensual për postin e Presidentit.

Published inNews Shqip