Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar nga Tivat, në prag të Samitit BE–Ballkani Perëndimor, lidhur me debatet dhe protestat e fundit që kanë shoqëruar projektin e paralajmëruar në Zvërnec.
Rama deklaroi se aktualisht nuk ekziston asnjë projekt i miratuar dhe, për rrjedhojë, sipas tij, nuk ka asgjë konkrete për t’u diskutuar.
“Ende nuk ka një projekt të miratuar. Fillimisht duhet të ekzistojë projekti, më pas mund të shqyrtohet dhe të diskutohet,” tha ai.
Kreu i qeverisë i cilësoi reagimet në rrjetet sociale dhe debatet publike si pjesë të një fushate dezinformimi, duke pretenduar se pas tyre qëndrojnë aktorë që synojnë të dëmtojnë imazhin e Shqipërisë.
Sipas Ramës, në këtë proces janë përfshirë edhe elementë të asaj që ai e quajti “luftë hibride”, ndërsa akuzoi Iranin për nxitjen e narrativave të rreme rreth projektit.
“Iranianët, të cilët më herët kanë kryer sulme kibernetike kundër vendit tonë, po ushqejnë pretendime të pabaza se projekti lidhet me marrëveshje të fshehta për transferimin e palestinezëve nga Gaza në Shqipëri,” u shpreh Rama.
Ai theksoi se mediat dhe opinioni publik duhet të bazohen te faktet dhe jo te spekulimet, duke nënvizuar se nuk mund të ketë shqetësime për një projekt që ende nuk është paraqitur zyrtarisht.
Kryeministri hodhi poshtë gjithashtu pretendimet se projekti në Zvërnec është ai që është paraqitur në publik, duke i cilësuar si të rreme videot dhe materialet që kanë qarkulluar në rrjet.
“Projekti nuk është ai për të cilin është folur deri tani. Janë shpërndarë video false dhe nuk ka asgjë konkrete për t’u diskutuar, pasi ende nuk ka një projekt të miratuar,” deklaroi ai.
Rama shtoi se në nismë janë përfshirë arkitektë dhe inxhinierë të njohur ndërkombëtarisht dhe se synimi është realizimi i një projekti që respekton mjedisin dhe që, sipas tij, do të jetë unik për Shqipërinë dhe me vlerë për gjithë Evropën.