REKORD I RI NË KARBURANTE/ Mbi 80 MIJË TONË U ZHDOGANUAN NË GUSHT
Mbi 80 mijë tonë karburant u zhdoganuan gjatë muajit gusht, duke shënuar nivelin më të lartë mujor të regjistruar deri më tani. Të dhënat e publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave tregojnë se rritja e importeve të karburanteve ka ndikuar ndjeshëm edhe në të ardhurat doganore.
Gjatë gushtit, arkëtimet doganore arritën në 22.8 miliardë lekë, rreth 1.7 miliardë lekë më shumë se në të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Karburantet kanë qenë ndër faktorët kryesorë të kësaj rritjeje. Vetëm nga akciza, të ardhurat e lidhura me karburantet u shtuan me 264 milionë lekë, ndërsa të ardhurat neto nga akciza në total u rritën me 502 milionë lekë. Cigaret kontribuuan me 187 milionë lekë të tjera.
Ndikimi i karburanteve ishte edhe më i madh në TVSH-në e mbledhur nga importet. Sipas të dhënave të Doganave, të ardhurat nga TVSH-ja për këtë kategori u rritën me 1.1 miliardë lekë krahasuar me gushtin e vitit 2025. Nga kjo shumë, 741 milionë lekë erdhën vetëm nga karburantet e importuara.
Shqipëria vijon të renditet ndër vendet me çmimet më të larta të karburanteve në Evropë, ndërsa të dhënat e gushtit tregojnë një tjetër zhvillim: pavarësisht kostos së lartë, sasitë e karburantit të zhdoganuar kanë arritur në nivele rekord.
Në rritjen e TVSH-së nga importet kanë ndikuar edhe kategori të tjera. Produktet e ndryshme të importuara sollën 161 milionë lekë më shumë, ndërsa automjetet e përdorura kontribuuan me 146 milionë lekë.
Edhe të ardhurat nga taksat doganore u rritën me 85 milionë lekë, të ndikuara ndër të tjera nga importet e veshjeve, mishit dhe konstruksioneve metalike.
Ndërkohë, rentat minerare shënuan një rritje prej 8 milionë lekësh, kryesisht si pasojë e sasive më të mëdha të mineraleve të eksportuara.
