ALARMI PËR ZJARRET/ Rrezik i lartë në 10 qarqe, temperaturat arrijnë deri në 34°C
Rreziku për përhapjen e zjarreve në pyje dhe kullota mbetet i lartë në pjesën më të madhe të vendit gjatë ditës së sotme dhe nesër, ndërsa temperaturat pritet të shkojnë deri në 34°C.
Sipas Institutit të Gjeoshkencave, gjatë pasdites së sotme, 7 shtator, dhe gjatë ditës së nesërme, 8 shtator, nivel i lartë rreziku nga zjarret parashikohet në qarqet Shkodër, Lezhë, Dibër, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Vlorë dhe Gjirokastër.
Në qarqet Kukës dhe Korçë niveli i rrezikut pritet të jetë i moderuar. Megjithatë, në zona të veçanta të tyre, konkretisht në verilindje të Kukësit dhe në jug të Korçës, rreziku mund të arrijë nivel të lartë.
Sipas parashikimit, dita e sotme paraqet rrezikun më të madh për përhapjen e zjarreve.
Ndërkohë, kushtet atmosferike nuk pritet të sjellin reshje. Si sot pasdite, ashtu edhe nesër, nuk parashikohen reshje në qarqet e vendit.
Për ditën e nesërme, temperaturat pritet të luhaten nga 22 deri në 32°C në zonat bregdetare, nga 18 deri në 34°C në zonat e ulëta dhe nga 14 deri në 32°C në zonat malore.
Era do të jetë kryesisht e lehtë deri mesatare, por në bregdet dhe në zonat malore mund të forcohet përkohësisht.
Temperaturat e larta, mungesa e reshjeve dhe prania e erës krijojnë kushte të favorshme për përhapjen e flakëve, ndaj autoritetet kërkojnë vëmendje të shtuar dhe masa parandaluese për mbrojtjen e sipërfaqeve pyjore dhe kullotave.
