Skip to content

Klodiana Lala paralajmëron kallëzim penal ndaj Vlora Hysenit: “Si nënë u lëndova, si gazetare nuk më shqetëson”

TIRANË – Gazetarja investigative Klodiana Lala ka bërë të ditur se do t’i drejtohet Prokurorisë së Posaçme me një kallëzim penal lidhur me deklaratat e ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, ndaj saj.

Në një intervistë televizive, Lala i cilësoi deklaratat e Hysenit si një përpjekje për ta frikësuar dhe kërcënuar për shkak të aktivitetit të saj profesional.

Gazetarja tha se fjalët e ish-drejtoreshës së SHISH e kanë prekur në aspektin personal, veçanërisht si nënë, ndërsa theksoi se ato nuk do ta pengojnë të vijojë punën e saj si gazetare.

“E përbuz me neveri çdo akuzë të ish-shefes së SHISH, Vlora Hyseni, në adresën time. M’u duk si një përpjekje e dëshpëruar e zonjës për të më kërcënuar për shkak të detyrës që bëj”, deklaroi Lala.

Ajo u shpreh se gjatë 23 viteve të karrierës së saj ka vijuar të raportojë edhe në rrethana të vështira, duke theksuar se nuk do të lejojë askënd ta pengojë në ushtrimin e profesionit.

“Si nënë u lëndova, si gazetare nuk më shqetëson aspak, sepse askush nuk më shantazhon në detyrën time”, u shpreh ajo.

Lala deklaroi se do të vijojë të raportojë mbi hetimet që lidhen me Vlora Hysenin dhe zyrtarë të tjerë, duke e cilësuar këtë çështje si një prej dosjeve më të rëndësishme që ka ndjekur gjatë karrierës së saj.

Në vijim, gazetarja bëri të ditur se ka komunikuar me avokatin Dorian Matlia dhe se së bashku po përgatisin materialet për kallëzimin penal që synon ta dorëzojë në SPAK.

“Unë do t’i drejtohem Prokurorisë së Posaçme me një kallëzim penal. Kam folur me avokatin Dorian Matlia dhe po bëjmë materialin për t’ia dorëzuar SPAK-ut”, deklaroi Lala.

Published inNews Shqip