Skip to content

Rama kritikon SHBA-në: “E tradhtoi Hashim Thaçin, nuk bëri mjaftueshëm për të”

Rama për Thaçin në New York: “SHBA-ja mund të kishte bërë më shumë”

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara mund të kishin ndërmarrë hapa të tjerë në lidhje me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-drejtuesit e tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.

Gjatë fjalimit të tij në mbrëmjen gala të organizuar nga Këshilli për Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane në New York, Rama foli për mungesën e Thaçit, duke e cilësuar atë si një prej figurave që, sipas tij, i mungon komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara.

“Hashim Thaçi nuk është me ne këtu, sepse ky vend e tradhtoi. Sepse Joe Biden, që e emërtoi Xhorxh Uashingtonin e Kosovës, e tradhtoi”, deklaroi Rama.

Kryeministri tha se, pavarësisht përpjekjeve të disa figurave amerikane, përfshirë gjeneralin Wesley Clark, sipas tij SHBA-ja nuk bëri gjithçka që mund të bënte për Thaçin.

“Edhe pse Gjenerali Klark dhe disa njerëz bënë më të mirën, ky vend nuk bëri më të mirën për Hashim Thaçin”, u shpreh ai.

Rama sqaroi se përdorimi i fjalës “tradhti” lidhet me pritshmëritë që shqiptarët kanë ndaj Shteteve të Bashkuara, të cilat i konsiderojnë një aleat dhe mik të rëndësishëm.

Sipas tij, Washingtoni mund të kishte ndërhyrë më herët për të parandaluar nisjen e procesit, duke deklaruar: “Mund të ishte bërë më shumë, duke mos lejuar që kjo farsë të niste”.

Në përfundim, Rama iu drejtua gjeneralit Wesley Clark duke e falënderuar për kontributin e tij ndaj Kosovës dhe shqiptarëve.

Hashim Thaçi dhe tre ish-drejtues të tjerë të UÇK-së po përballen me procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, lidhur me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Rama ka shprehur edhe më herët publikisht shqetësimet e tij lidhur me këtë proces.

Published inNews Shqip