Bilanc tragjik në Athinë: Gjashtë persona humbin jetën pas shpërthimit në një godinë, mes tyre tre shqiptarë
Me një bilanc tragjik është mbyllur operacioni i kërkim-shpëtimit në rrënojat e një godine që u shemb pas një shpërthimi të fuqishëm, të premten, më 25 shtator, në zonën e Plakës, në qendër të Athinës.
Pas disa orësh kërkime, ekipet e zjarrfikësve dhe të EMAK-ut kanë nxjerrë nga rrënojat trupat e gjashtë personave që rezultonin të zhdukur. Mes viktimave janë edhe tre shtetas shqiptarë.
Sipas informacioneve të publikuara deri tani, në mesin e viktimave janë Florinda Hoxha dhe bashkëshorti i saj, Ian Alexander Kirkpatrick. Çifti ishte martuar së fundmi dhe ndodhej në Greqi për muajin e mjaltit.
Në këtë tragjedi ka humbur jetën edhe vëllai i Florindës, Florin Hoxha, së bashku me bashkëshorten e tij, Eris Çani (Hoxha). Çifti po qëndronte në të njëjtën godinë dhe, sipas raportimeve, priste një fëmijë.
Mediat greke kanë publikuar edhe fotografitë e viktimave, ndërsa lajmi për humbjen e tyre ka shkaktuar tronditje të madhe.
Dy viktimat e tjera janë një çift i moshuar që banonte në katin e dytë të godinës. Bëhet fjalë për Athina Papareskun dhe Edmond Hingis, 77 vjeç, me origjinë britanike, sipas informacioneve paraprake.
Hetimet për shkaqet e shpërthimit
Ndërkohë, autoritetet greke kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e sakta të shpërthimit dhe shembjes së godinës.
Dyshimet fillestare janë përqendruar te mundësia e një rrjedhjeje gazi, ndërsa ekspertët po analizojnë provat e mbledhura në vendngjarje për të përcaktuar rrethanat që çuan në këtë tragjedi.
