Një ngjarje e rëndë ka tronditur botën e futbollit në Kavala të Greqisë. Një 16-vjeçar me origjinë shqiptare ka humbur jetën pas një dëmtimi të rëndë në kokë, të pësuar gjatë një ndeshjeje futbolli në ishullin Thassos.
Bëhet fjalë për Asllan Gjanën, futbollist i skuadrës Byronas Kavala, i cili po luante përballë Aiandas Panagias në kuadër të kategorisë së dytë të Shoqatës së Futbollit të Kavalës.
Ngjarja e rëndë ndodhi që në minutën e dytë të takimit. Gjatë një dyluftimi për topin, 16-vjeçari doli jashtë fushës dhe u përplas me pjesën e pasme të kokës në gardhin rrethues të stadiumit.
Pas goditjes së fortë, Gjana humbi ndjenjat. Ndeshja u ndërpre menjëherë, ndërsa futbollistit iu dha ndihma e parë nga mjeku i takimit. Në stadium mbërriti edhe ekipi i urgjencës, i cili e transportoi me urgjencë drejt Spitalit të Kavalës për trajtim të specializuar.
16-vjeçari u shtrua në repartin e kujdesit intensiv, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra.
Lajmi për ndarjen e tij nga jeta ka shkaktuar dhimbje të madhe te familjarët, shokët e skuadrës dhe komuniteti sportiv në Kavala.
Edhe klubi Byronas Kavala reagoi pas tragjedisë, duke shprehur dhimbjen për humbjen e futbollistit të ri.
“Me dhimbje të padurueshme dhe trishtim të papërshkrueshëm, familja atletike e Byron Kavalës i jep lamtumirën njërit prej fëmijëve të saj”, thuhet në mesazhin e klubit.
“Byroni i Kavalës është në zi. Ka humbur një nga fëmijët e tij. Udhëtim të mbarë, djali ynë. Ti do të jetosh përgjithmonë në zemrat tona”, përfundon reagimi.
