Dy shtetas të Kosovës, 58 dhe 37 vjeç, janë arrestuar në Gjermani dhe ndodhen në paraburgim, pasi dyshohen për përfshirje në dy raste të rënda zjarrvënieje. Në njërin prej rasteve, autoritetet kanë ngritur edhe dyshimin për tentativë vrasjeje.
Sipas Policisë së Ludwigsburgut dhe Prokurorisë së Stuttgartit, hetimet disa-mujore kanë çuar në dyshime konkrete ndaj dy burrave për ngjarje të ndodhura në nëntor të vitit 2025 dhe mars të vitit 2026.
Ngjarja e parë ka ndodhur më 11 nëntor 2025, në një apartament në katin përdhes të një pallati në Brunnenstraße, në Böblingen. Rreth orës 19:15, një banor raportoi se kishte dëgjuar një shpërthim të fortë dhe pak më vonë kishte vënë re se banesa ishte përfshirë nga flakët.
Zjarri shkaktoi dëme edhe në zonën e ballkonit, ndërsa temperaturat e larta thyen xhamat e dritareve. Për arsye sigurie u evakuuan ndërtesa ku ndodhi zjarri dhe dy objekte përreth. Rreth 28 persona u detyruan të largoheshin përkohësisht nga banesat e tyre. Fatmirësisht, nuk pati të lënduar, ndërsa dëmet materiale u përllogaritën fillimisht në rreth 50 mijë euro.
Autoritetet dyshojnë se në këtë rast ka qenë i përfshirë 58-vjeçari.
Në vijim të hetimeve, policia arriti edhe te 37-vjeçari, i cili dyshohet se ishte angazhuar kundrejt pagesës nga 58-vjeçari për të shkaktuar një tjetër zjarr.
Ngjarja e dytë ndodhi më 29 mars 2026, në një banesë në Jägerholzweg, në Weil im Schönbuch. Një grua që ndodhej brenda shtëpisë u njoftua nga detektori i tymit dhe arriti të dilte në kohë, pa pësuar lëndime.
Për shkak të rrethanave të këtij rasti, hetuesit po e trajtojnë ngjarjen jo vetëm si zjarrvënie, por edhe nën dyshimin për tentativë vrasjeje.
Dy të dyshuarit u arrestuan në fillim të shtatorit. Më 3 dhe 4 shtator 2026, ata dolën përpara një gjyqtari në Gjykatën e Qarkut në Stuttgart, i cili lëshoi urdhër-arreste ndaj tyre për dyshime të rënda lidhur me zjarrvënie dhe tentativë vrasjeje.
Të dy burrat më pas u dërguan në paraburgim, ndërsa hetimet për motivin dhe rrethanat e plota të ngjarjeve vijojnë.
Autoritetet theksojnë se bëhet fjalë për persona të dyshuar dhe se përgjegjësia e tyre penale do të përcaktohet vetëm përmes procedurës gjyqësore.
