Skip to content

Rrezik për stuhi dhe përmbytje, Agjencia e Mbrojtjes Civile me njoftim urgjent për qytetarët

Paralajmërim për reshje intensive dhe përmbytje në disa qarqe

Sipas të dhënave dhe parashikimeve të Institutit të Gjeoshkencave (IGJEO), gjatë pasdites së sotme, 8 tetor, dhe gjatë ditës së nesërme, 9 tetor, priten reshje intensive deri lokalisht shumë intensive në qarqet Shkodër dhe Lezhë, ndërsa në qarkun Durrës parashikohen reshje intensive.

Në qarqet Kukës, Dibër dhe Tiranë priten reshje me intensitet mesatar deri lokalisht intensiv. Në qarqet e tjera, reshjet pritet të jenë kryesisht me intensitet të dobët deri mesatar.

Në shumicën e qarqeve, reshjet mund të shoqërohen me shtrëngata, duke krijuar mundësi për vërshime të ujit në zonat urbane, përmbytje lokale dhe rrëshqitje të dherave, veçanërisht në qarqet Shkodër, Lezhë dhe Durrës.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar, të shmangin lëvizjet pranë lumenjve, përrenjve dhe zonave të tjera të rrezikuara, si dhe të mos tentojnë të kalojnë në rrugë të përmbytura.

Qytetarët këshillohen të ndjekin me vëmendje njoftimet zyrtare dhe udhëzimet e autoriteteve vendore dhe strukturave të mbrojtjes civile.

Në rast emergjence, telefononi numrat përkatës të emergjencës.

Më të sigurt së bashku!

Published inNews Shqip