Nebi Alshiqi, zyrtar i Kadastrës në Komunën e Prishtinës, është arrestuar nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, marrje ryshfeti dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare. Ndaj tij është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se arrestimi erdhi pas disa muajsh hetime, të zhvilluara në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.
Sipas Prokurorisë, i dyshuari, i identifikuar në komunikatën zyrtare me inicialet N.A., dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjerë ka kryer tri vepra penale: keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, marrje ryshfeti dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare.
Dyshimet fillestare lidhen me zbulimin e informacioneve zyrtare për prona të caktuara ndaj personave të paautorizuar, në këmbim të ryshfetit. Sipas organit të akuzës, këto veprime dyshohet se janë kryer me qëllim të tjetërsimit të pronave me vlerë të konsiderueshme.
Operacioni është realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë.
Prokuroria ka bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rastit dhe përcaktimin e përgjegjësive të mundshme penale.
Ndërkohë, identiteti i të arrestuarit është raportuar nga IndeksOnline, pasi Prokuroria në njoftimin e saj zyrtar ka publikuar vetëm inicialet e tij.
I dyshuari prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
